Akti i rëndë i vrasjes së ndodhur në fillim të vitit të ri në Prizren ka bërë që autoritetet vendase të ndërmarrin hetime konkrete në lidhje me të gjitha hetimet e mëhershme të autorit të ngjarjes.
Ky hap është bërë publik nga vetë Këshilli që heton dhe verifikon punën e prokurorive themelore të qyteteve të Kosovës, ku flitet se autori që i mori jetën të riut kuksian është një person me rekorde të panumërta kriminale, por ai rezultonte jo vetëm i lirë po madje ishte edhe një nga personazhet e njohura në mediumet vendase.
Këshilli i Prokurorisë i Kosovës ka bërë të ditur se ka kërkuar nga shefi i Prokurorisë Themelore të Prizrenit që të përgatis një raport me të gjitha veprimet hetimore të ndërmarra ndër vite ndaj Dibran Hoxhës i njohur me emrin “Kobra”, i cili dyshohet për vrasjen e Visart Cengut.
Më tej KPK shton se në bazë të kompetencave që ka do të trajtojë me kujdes të gjitha veprimet që Prokuroria në Prizren ka ndërmarrë ndaj Dibran Hoxhës dhe çdo lëshim eventual do të sanksionohet në bazë të ligjeve në fuqi.
Në lidhje me shkaqet e konfliktit ende nuk është mësuar e vërteta reale që e çoi Dibran Hoxhajn në atë akt kriminal të vrasjes së klientit dhe kuksianit Visart Cengu.