17-vjeçari shqiptar që humbi jetën nga zjarri që shpërtheu në institucionin ku ai banonte në Itali, do të mbetet gjithmonë në kujtimet e shokëve të tij të klasës.
Fëmijët e kanë të vështirë ta besojnë atë që ka ndodhur. Prej ditës së djeshme dollapi i tij ka qenë një vend homazhi për studentët dhe mësuesit. Disa njerëz lënë një kujtim, disa një lule, të tjerë ndalojnë në heshtje për ta kujtuar atë.
Ledjan Imeraj humbi jetën nga zjarri dhe shoku i tij i dhomës, një 16 vjeçar ganez pësoi djegie të rënda. Në ambientet e qendrës komunitare për të miturit, i riu shqiptar po qëndronte prej muajit shtator të këtij viti.
Gjatë ndërhyrjes ekipet e shpëtimit arritën të shpëtonin e të nxirrnin 11 persona, 2 prej të cilëve mbetën të lënduar, por për 17-vjeçarin shqiptar ishte shumë vonë, ndërsa trupi i pa jetë i tij u gjet në dhomën e gjumit.
Vdekja e Ledjanit do të hetohet si vrasje nga pakujdesia. Ende nuk dihet ndaj kujt rëndojnë akuzat për këtë çështje. Por së pari do të merret në pyetje edukatorja e qendrës komunitare e cila pësoi djegie të lehta gjatë zjarrit.