Administrata Biden po përgatitet të kërkojë miratimin e Kongresit për një shitje prej 20 miliardë dollarësh të avionëve të rinj luftarakë F-16 në Turqi.
Në të njëjtën kohë siç nënvizon Wall Street Journal, administrata Biden do të kërkojë gjithashtu miratimin për një shitje të veçantë të avionëve luftarakë F-35 në Greqi, një nga shitjet më të mëdha të pajisjeve amerikane në vitet e fundit.
Shitja në Turqi, të cilën administrata Biden e ka menduar për më shumë se një vit është më e madhe se sa pritej.
Sipas zyrtarëve të cituar nga Wall Street Journal shitja përfshin 40 avionë të rinj dhe pajisje për të riparuar 79 avionë në flotën ekzistuese F-16 të Turqisë.
Kërkesa për miratimin e Kongresit ka të ngjarë të përkojë me vizitën e ministrit të jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu në Uashington javën e ardhshme.
Në të njëjtën kohë paketa e pajisjeve në Turqi do të përfshijë gjithashtu më shumë se 900 raketa ajër-ajër dhe 800 bomba.
Miratimi i Kongresit varet nga miratimi i Turqisë për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.
Shitja e veçantë ndaj Greqisë me kërkesë të qeverisë greke qershorin e kaluar përfshin “të paktën 30” F-35, të cilët janë gjuajtësit më të avancuar të SHBA-së.
Kujtohet se pak ditë më parë Kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit amerikan, Robert Menendez theksoi se nuk do të miratojë asnjë shitje të F-16 Turqisë.
“Nuk do të miratoj asnjë shitje të F-16 Turqisë derisa të ndalojë fushatën agresive në të gjithë rajonin”, duke shtuar me ironi se ky është një anëtar i NATO-s që kërcënon drejtpërdrejt Athinën. Ne e kemi parë Erdoganin të vërë në dyshim sovranitetin kombëtar të Greqisë,” tha ai.