Mbrëmë në një takim me nxënës të shkollave besoj të mesme, vite të para gjimnaz, pa asnjë kompetencë të shkretët për të dëgjuar qendrime “me pullë të kuqe”, besoj nja njëzetë, dëgjova kryeministrin që “Ballkanit” i tha “Mal” (përkthim nga turqishtja), meqë emrin Ballkan ja paska vënë një budalla!
Se përse një zyrtar i lartë i administratës duhet të ngatërrohet me këto hipoteza, kur janë punë e komunitetit të shkencëtarëve, hajde merre vesh!
Se si emrat e krahinave, toponomia, nuk është kurrsesi një akt individual por krejt kolektiv, për këtë mjafton të kesh njohuritë e duhura në sociologji të gjuhës, epistemologji komunikimi, antropologji, semantikë, etj., për të kuptuar se për të bërë jehonë këtyre aventurave toponimike më parë sikurse thoshte Shvejku duhet të kafshosh buzën!
Por, unë kam frikë se është një pulsion tjetër: ai i rifillimit të historisë nga zerua!
Se mos rishkrimin e historisë (një term krejt idiot) e kanë për të fshehur rifillimin e historisë nga zerua!!!
Se shënja ka!
Mirë e keni!
Kuçovën e quajtën Dimal. Iku. Po pse Durrës emër ilir është? Cfarë duan helenët dhe romakët që të mbajmë emrat e tyre. Ndonjë gomar veshgjatë ja ka vënë dhe ne duhet ta mbajmë? Si t’ja vemë? Bregdet – them unë. Ose Doha e vogël!
Po Pogradeci mor aman? Sllav i poshtër. Liqenas t’ja vemë. Dhe Lazgushit t’i themi : Lazgush Liqenasi! A nuk e ka statujën me qen?
Po Korça? Ekspansionizëm grek? puro grek! T’ja vemë Lakror me lakër.
Shkolla e parë shqipe u ngrit në qytetin “Lakrori me lakër”, ose në “Kërnackë”!
Corovoda? Uj i Zi hëë! Koçovës ja vumë Dimal, Corovodës meqë ka afër Tomorrin t’ja vemë Njimal. Pse jo? Njimal, Dymal,Tremal, Katërmal!!!!
Zhdukini emrat e budallenjve!
Hiqe Vlorën – Valonë, vërjaaaaaaa, si? Hajde shihni mos ja vemë SelamSalari!
Zhdukini me sheshe të vjetra qytetesh, me zona kulturore tradicionale, me emra të vjetra – dëshmi e bashkëjetesave të popujve në histori, zhdukni emra dhe vepra patriotësh.
Rrafsh!
Këmb muzeu në këmbë mos lemë!
Marin Barleti! Budalla!
Naim Frashëri! Delirant!
Fan Noli pooooo, kur u plak, ai e dinte nëse u bë ose jo synet Skënderbeu, duhet të jesh prift ortodoks që ta dish me siguri!!!
Fshini, fshini gjithçka dhe një ditë amnezia do të arrijë në atë pikë, sa shqiptarët që i ngatërrojnë edhe për simbolin në flamur sikur është simboli i luftës politike të sotme, pra i përçarjes që e paskemi për zemër, që i ngatërrojnë edhe për çështje nëse ka qenë apo jo bërë synet Skenderbeu (Kush ja dha këtë emër dhe këtë ofiq?) – një ditë do pyesin :
Shqiptar jam unë?