Shtetet e Bashkuara thanë të premten se kanë sanksionuar ish deputetët e Parlamentit të Serbisë, Verica Radeta dhe Petar Jojiç për përfshirjen e tyre në korrupsion.
Në një njoftim të Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se “ndërsa shërbenin në Parlamentin e Serbisë, Verisa Radeta dhe Petar Jojiç u dhanë ryshfet dhe frikësuan dëshmitarët që duhej të paraqiteshin para Gjykatës Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish Jugosllavi, për t’i bindur ata që të heqin dorë nga ofrimi i provave rënduese kundër udhëheqësit të Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshel, i cili më pas u dënua për krime lufte.
“Veprimet e tyre ndërhynë në proceset gjyqësore, duke bërë që Gjykata e Hagës të lëshojë urdhër arreste ndërkombëtare për shpërfillje, duke kërcënuar qëndrueshmërinë rajonale dhe duke ndikuar negativisht në interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në njoftim.
Departamenti i Shtetit tha se sanksionet riafirmojnë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon përparimin ekonomik të partnerëve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të qytetarëve të tyre.