Drejtori i FBI-së, Christopher Wray ka reaguar publikisht për herë të parë në lidhje me arrestimin e ish-zyrtarit Charles McGonigal, mbi të cilin rëndojnë disa akuza, mes tyre edhe marrja e 225 mijë dollarëve nga një ish-agjent i Inteligjencës shqiptarë, por edhe takime me kryeministrin Edi Rama të cilat ai nuk i ka deklaruar.
Sipas drejtorit të FBI, ajo që ndodhi me McGonigal tregon se agjencia mund të kontrollojë veten. Wray tha se ishin agjentët e FBI-së që “metodikisht dhe profesionalisht” e përpiluan çështjen kundër McGonigal.
“Ajo që unë mendoj është se akuzat në këtë rast demonstrojnë gatishmëria e FBI-së si një organizatë për të hedhur dritë mbi sjelljen që është krejtësisht e papranueshme, duke përfshirë kur ndodh nga një prej njerëzve tanë, dhe për t’i mbajtur ata njerëz përgjegjës. Ne po flasim për një djalë që është larguar nga FBI për më shumë se katër vjet tani. Është FBI ajo që nisi këtë hetim. Është FBI-ja dhe agjentët tanë që me kujdes dhe metodikë e bashkuan çështjen kundër tij. Dhe është FBI që e arrestoi atë.” u tha Wray gazetarëve në Uashington të premten.
Wray shtoi se sjellja e McGonigal “nuk është përfaqësuese e asaj që shoh nga burrat dhe gratë e FBI-së çdo ditë”.
REAGIMI I PROKURORIT
Në lidhje me këtë dosje reagoi edhe Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland duke thënë se çdo punonjës federal bën një betim për të mbështetur Kushtetutën e SHBA dhe për të kryer me besnikëri detyrat.
“Ne e marrim këtë betim seriozisht dhe do të sigurohemi që kushdo që nuk e përmbush atë betim të mbajë përgjegjës”, u tha Garland gazetarëve.