E vënë në hetim për tre akuza, mes të cilave dhe ajo e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, ish-zyrtarja e Kryeministrisë, Alda Klosi është shfajësuar duke kërkuar ta lironin, duke pretenduar se izolimin në burg e kishte tmer dhe i përkeqësonte shëndetin. Ajo ndodhet e shtruar në spital pas problemeve me shëndetin. Por prokurorët dhe policia, i kanë kujtuar Klosit që ndalimi i saj nuk kishte si qëllim t’i përkeqësonte shëndetin, por ka si synim të zbulojë origjinën e 500 mijë euro, që vartësja e Arben Ahmetaj mbante në banesë. Grupi i hetimit i ka kërkuar Alda Klosit të flasi dhe bashkëpunojë me organet e hetimit, duke treguar emrat e personave që i çonin në shtëpi, eurot dhe dollarët me çanta e kuti kartoni.
Sipas hetuesve një ofertë e tillë me qëllim tregimin e ngjarjes në shkëmbim të pozitës penale, i është bërë dhe dy të arrestuarve Havier dhe Rozeta Dobit, të cilët kanë folur para grupit hetimor duke treguar gjithçka dinin, shkruan gazetari Elton Qyno. Synimi i prokurorisë është të shkojë tek pronari i kësaj shume financiare dhe burimi real i krijimit të tyre, duke mos u mjaftuar vetëm në faktin e zbulimit të tre personave që kanë shërbyer për ti fshehur këto euro dhe nga ana tjetër pronari i tyre të lihet pa gjurmuar.