Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj shprehet se përjashtimi i vazhdueshëm i deputetëve të opozitës nuk është respektimi i etikës parlamentare por goditje ndaj parlamentarizmit. “Opozita nuk është nxënëse e Qeverisë. Kjo e fundit nuk ka për detyrë të edukojë të paren me “shkulje veshi”.
Përjashtimi i vazhdueshëm i deputeteve nuk është respektim i etikes parlamentare por goditje ndaj parlamentarizmit. Opozita fjalën ka nëse nuk i jepet mundësia që ta thotë atë biem në autoritarizëm ndaj të cilit kemi detyrën e shenjtë të reagojmë. Ky nuk është apel mëshirë ndaj qeverisë se opozita e gjen mundësinë për ta thënë fjalën e saj por thirrje për tu kthyer tek arsyeja si respekt ndaj vendit.
Në vendet demokratike nuk ndëshkohet as fjala as opozita. Kjo ndodh atje ku ato shihen si bezdi. Pas këtij qortimi opozita duhet të mbaje pastërti, të presë thonjtë, të lajë dhembet ,të parfumoset e të flasë me zë të ulët. Ndonjëherë të shohë nga Taulanti në tha gjënë e duhur”, shkruan Gjekmarkaj.
Kuvendi përjashtoi sot tetë deputetë të PD-së për 10 ditë duke pranuar kërkesën e PS-së me argumentin se bllokuan foltoren dhe ofenduan kryetaren Lindita Nikolla në seancën e së enjtes së kaluar. Pak ditë më parë u përjashtuan edhe pesë deputetë të tjerë të PD-së me Sali Berishën në krye.