Nga Dylber Balla
Mediat italiane raportuan se bosi i mafies, Matteo Messina Denaro, anëtari i fundit i “Cosa Nostra”, i cili u arrestua pak ditë më parë në Itali kishte udhëtuar edhe në Shqipëri gjatë kohës që ishte në kërkim nga drejtësia.
Në fakt para se ta publikonin mediat italiane, ishte eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço disa javë më parë që ngriti dyshimet mbi këtë lëvizje. Por kush e solli në Shqipëri dhe ku u fsheh?
Sot “5pyetjet.al” e kontaktoi profesorin për të mësuar më shumë. “Në fakt ka pasur gjithmonë dyshime…për Vlorën më shumë” tha Karamuço për “5pyetjet.al”.
Por si erdhi dhe kush ishte destinacioni final? “Ka të dhëna, përfshirë përgjimet dhe të penduarit, por është vetëm një dyshim shumë i fortë i pa provuar që të ketë ardhur në Shqipëri nga Brindisi drejt Vlorës ku mund të jetë strehuar dhe më pas të ketë kaluar në Greqi.
Nga Brindisi në Vlorë kishte shumë faktorë që e ndihmonin për të ardhur rehat, kontrolli i ulët, por edhe korruptimi në kufi. Më pas mund të ketë kaluar nga Vlora në rrugë tokësore për në Greqi” tha më tej Karamuço për “5pyetjet.al”.
Sipas mediave italiane, fillimisht në Shqipëri Messina Denaro kishte dërguar “ambasador” të vendosjes së këtyre marrëdhënieve, Luca Bellomon, bashkëshortin e mbesës së tij Lorenza, ndërsa më pas erdhi vetë personalisht.