Kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj kërkoi sot nga KQZ lekët për financimin e zgjedhjeve vendore të 14 Majit. Por veç faktit se kujt i takojnë për shkak të ngërçit të vulës ka edhe një tjetër problem. Shuma e financimit që do të ndajë KQZ bazohet te rezultati i zgjedhjeve pararendëse, pra të 4 viteve më parë, që PD me Lulzim Bashën në krye i bojkotoi.
Si do të përllogaritet shpërndarja në këto kushte? “Ne bëjmë projektvendimin gati, ia shpërndajmë partive politike. Në fund, palët pjesëmarrëse që nuk janë dakord, e ankimojnë në KAS dhe pastaj në Kolegjin Zgjedhor” tha përfaqësuesi i KQZ-së, Ylli Merkaj.
Por për Enkelejd Alibeajn qasja procedurale e sekretarit të përgjithshëm të KQZ-së nuk është e saktë. “Ju merrni për bazë zgjedhjet e 2019 siç edhe juve e thatë në fjalimin tuaj, apo do të merrni për bazë nenin 180 të kodit zgjedhor i cili e ka korrigjuar atë deformim të zgjedhjeve të 2019 dhe e ka spostuar, jo më për 2019 kur ne bojkotuam, por 2015-2017?” pyeti ai, por përgjigje nuk mori. Debati vazhdon.