Koncesioni i pullave fiskale nuk përfundon më 6 shkurt 2023, siç parashikoi më parë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, por do të shtyhet deri më dhjetor 2024. Projektligji për shtyrjen e afatit të kontratës i është dërguar Kuvendit, ku parashikon zbatimin deri më 31 dhjetor 2024.
Koncesioni ka shkaktuar debate të forta në Kuvend mes zhurmës së bilbilave. Replika të forta ka pasur mes Jorida Tabakut dhe Erion Braçes. Tabaku tha se për këtë kontratë është akuzuar opozita pasi kur PD ishte në pushtet e firmosi, ndërsa tani ngriti pyetjen se nëse ka qenë korruptive, pse po zgjatet?
“Filip Amont është përfituesi, i kontraktuar nga Sali Berisha, pa asnjë procedurë. Atje ka një pikë në atë kontratë që lidhet me sigurinë juridike” iu përgjigj Braçe duke u justifikuar me arbitrazhin. Më pas, deputeti socialist e pyeti. “Kë keni në mendje kur thoni se pas është një oligark?”.
Deputetja demokrate i kërkoi sërish emrin e oligarkut shqiptar që fshihet pas koncesionit. “Zoti Braçe nuk kam frikë që të përmend askënd, duke filluar nga nafta, koncesionet, rrugët apo inceneratorët. Por ti duhet ta thuash që kush është oligarku këtu? Ti ke thënë që pas është një oligark, kush është? Na keni sharë dhe anatemuar, kush janë të korruptuarit tani këtu?”.
Socialisti i vjetër nuk e përmendi emrin. “Shikoni të përmendësh emra është kollaj. Është kollaj. Meqë më janë bërë vite në këtë sallë tani nuk më ka ngelur gjë tjetër vetëm t’ju referoj emrin që e kam përmendur këtu e 11 viteve më parë. Atij i qëndroj. Ju tani çfarë emri keni në mendje. Ju thatë është oligark pas, a ka mundësi ta thoni, kush është?”.
Jorida Tabaku kishte një “kunj” edhe për deputetët e grupit të Sali Berishës që vijonin që t’u binin bilbilave në foltore gjatë kohës që ajo po fliste. “Unë jam e sigurt që edhe ata që u bien bilbilave dhe bëjnë zhurmën sot do të kishin dashur të flasin këto fjalë, por të flasësh për korrupsionin kërkon shumë guxim dhe t’u vesh emrin atyre që vjedhin sot Shqipërinë dhe të thuash që korrupsioni nuk njeh ngjyrë dhe pushtet dhe kur vjen në këtë parlament jeni të gjithë të përlyer” tha ajo.