Policia e Tiranës ka reaguar me anë të një njoftimi sa i përket aksidentit të rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm në kryeqytet, ku dy automjete, njëra prej të cilave e Policisë së Shtetit, janë përplasur mes tyre në një kryqëzim.
Për pasojë janë plagosur dy efektivë policie dhe shoferi e pasagjeri në mjetin tjetër. Të dy drejtuesve iu është bërë testi i alkoolit dhe asnjëri prej tyre nuk rezultoi nën efektin e tij.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë/Informacion paraprak: Rreth orës 05:15, te ura e “Vasil Shantos”, janë përplasur dy automjete, konkretisht automjeti tip “Skoda” i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 2 me drejtues Inspektor B. M., 31 vjeç, dhe automjeti tip “BMW” me drejtues shtetasin N. B., 36 vjeç.
Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar dy drejtuesit e automjeteve, si dhe pasagjerët, shtetasi G. N., 38 vjeç, që ndodhej në automjetin tip “BMW” dhe punonjësi i Patrullës së Përgjithshme Inspektor J. B., 22 vjeç, që ndodhej në automjetin tip “Skoda”.
Të dëmtuarit ndodhen në spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Të dy drejtuesve të mjeteve, iu është bërë testi i alkoolit, dhe ka rezultuar që asnjëri prej tyre, nuk kishte konsumuar pije alkoolike. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.