Kolegjit i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e KPK për shkarkimin e gjyqtares së Apelit në Shkodër, Lindita Hoxha.
Një njoftimin zyrtar, thuhet se vendimi për shkarkimin e Hoxhës është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Njoftim vendimi:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Albana Shtylla relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 57/2020, datë 07.12.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Lindita Hoxha kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 289, datë 06.08.2020.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit nr. 289, datë 06.08.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Lindita Hoxha.
- Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 22.02.2023.
Kujtojmë se Hoxha u hetua gjatë procesit të rivlerësimit për të tre kriteret e vetingut, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, por nuk ia doli me sukses.
Ajo ka një karrierë 27-vjeçare në sistemin e drejtësisë. Prej vitit 2003 ajo ka shërbyer si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Shkodër. Në vitin e 2019, Hoxha ishte një nga 5 gjyqtarët e Apelit që shqyrtuan çështjen e uljes së masës së dënimit ndaj Dritan Dajtit, i dënuar për vrasjen e 4 policëve të shpallur dëshmorë të atdheut.
Hoxha së bashku me ish-kreun e Apelit Shkodër, Fuat Vjerdha ishin kundër uljes së dënimit të Dajtit, nga dënim të përjetshëm në 25 vjet heqje lirie.