Zyrtarizohet lista me 14 kandidatët për Avokat Populli. Një pjesë e emrave janë të njohur dhe spikatur. Mes tyre ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, por edhe ish-kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi, ish-zv/ kryeministri Ilir Rusmali, etj.
14 personat që kanë aplikuar: Alket Jaupi, Bledar Dervishaj, Besim Ndërgjoni, Drita Avduli, Dardan Mustafa, Erald Aga, Endri Papajorgji, Edison Frangu, Robert Gajda, Lefterie Luzi, Sokol Hazizaj, Tartar Bazaj, Ilir Rusmali dhe Vitore Tusha.
Pas dështimit herën e parë, kjo është tentativa e dytë për të zgjedhur njeriun që do të mbrojë të drejtat e qytetarëve.
Lista e kandidatëve tani do t’i dorëzohet komisionit Parlamentar të Ligjeve për të verifikuar përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore. Komisioni do të kryejë seanca dëgjimore për çdo kandidat, ku do u bëhet vlerësimi për përmbushjen e kritereve kushtetuese.
Më pas, kandidaturat e përzgjedhura i paraqiten Kuvendit me shkrim nga jo më pak se 28 deputetë. Zgjedhja e avokatit të ri të popullit kërkon 84 vota dhe ka një mandat 5 vjeçar.
Kushtet për t’u zgjedhur Avokat i Popullit
Avokat i Popullit mund të jetë çdo person që plotëson këto kushte:
a): të jetë shtetas shqiptar.
b): të ketë njohuri dhe veprimtari të shquara në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të ligjit;
c): të shquhet për aftësi profesionale dhe figure të pastër etiko-morale;
ç): të mos jetë dënuar penalisht
d): të mos jetë deputet në legjislaturën e Kuvendit që bën propozimin a zgjedhjen e tij.