Ukraina i ka bërë thirrje OKB-së dhe Turqisë që të fillojnë konsultimet për të rinovuar marrëveshjen e eksportit të grurit, por nuk ka marrë përgjigje, tha të martën një zyrtar i qeverisë ukrainase.
Zëvendësministri i Infrastrukturës së Ukrainës, Yuri Vaskov përgjegjës për rindërtimin e vendit, i tha Reuters javën e kaluar se Kievi do t’u kërkojë palëve të përfshira të fillojnë bisedimet për të rinovuar marrëveshjen, duke kërkuar të zgjasë vlefshmërinë e saj për të paktën një vit dhe të përfshijë portet e Mykolife.
Iniciativa për drithërat e Detit të Zi – e ndërmjetësuar në korrik nga Turqia nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara – lejon eksportimin e grurit nga tre porte të Ukrainës. Vlefshmëria e tij u zgjat në nëntor dhe duhet të rinovohet deri më 18 mars.
“Ne kemi dërguar një letër duke kërkuar fillimin e procesit me afrimin e 18 marsit, por nuk kemi marrë një përgjigje deri më tani”, tha zyrtari ukrainas i cituar nga Reuters në kushte anonimiteti
Eksportet e grurit të Ukrainës në periudhën 2022-2023, e cila zgjat deri në qershor, kishin rënë me gati 27% në 31.8 milion ton që nga 27 shkurti për shkak të një korrjeje më të vogël dhe vështirësive logjistike të shkaktuara nga pushtimi rus.
Sipas marrëveshjes, Ukraina eksporton rreth 3 milionë tonë produkte bujqësore në muaj.
Megjithatë, Vaskov tha se vendi i tij është në gjendje të eksportojë 6 milionë tonë në muaj nga portet e rajonit të Odessa dhe të arrijë në 8 milionë tonë nëse Mykolife përfshihet në marrëveshje.