Policia e Kosovës ka kryer kontrolle në disa shkolla të Mitrovicës së Jugut dhe Skënderajt, duke zbuluar sende të rrezikshme tek nxënësit. Një rast veçanërisht shqetësues përfshinte një pistoletë me fishekë dhe një predhë të armës së gjatë, të cilat u konfiskuan nga autoritetet.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit të organizuar nga stafi shkollor, një nxënës u gjet me një thikë, ndërsa një tjetër kishte armën e zjarrit me 19 fishekë dhe një gëzhojë. Të dy nxënësit u shoqëruan në polici dhe u morën në pyetje pranë prindërve të tyre.
Autoritetet kanë theksuar se ndaj nxënësit me armë zjarri është hapur procedim penal për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa nxënësi tjetër është liruar në procedurë të rregullt.









