Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka përmbyllur një vizitë tre ditore në Gjermani me ftesë të qeverisë gjermane, gjatë së cilës zhvilloi takime në Ministrinë e Jashtme, Bundestagun, Kancelarinë, si dhe me përfaqësues të politikës dhe biznesit gjerman.
Qëllimi i vizitës ishte diskutimi i procesit të integrimit europian të Shqipërisë, sfidave që përballen qytetarët dhe pengesave që hasin bizneset shqiptare.
Gjatë takimeve, Tabaku theksoi rëndësinë e sigurisë ligjore, luftën kundër korrupsionit dhe zbatimin e duhur të ligjit si elementë kyç për përmirësimin e klimës së investimeve dhe për rritjen e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.
“Problemet kryesore që hasin shqiptarët dhe bizneset lidhen me ligjin, zbatimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Por më e rëndësishmja është qëndrimi i qeverisë gjermane. Gjermania ka qenë mbrojtësja kryesore e këtij procesi dhe shtytësja kryesore e Procesit të Berlinit, duke e bërë këtë për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Integrimi nuk është thjesht një debat politik, por është procesi që do ta ndryshojë Shqipërinë,” deklaroi Tabaku në një video të publikuar në rrjetet sociale.
Gjatë vizitës, Tabaku diskutoi edhe mbi potencialin ekonomik dhe gjeostrategjik të Shqipërisë, duke theksuar nevojën për reforma reale, një ekonomi tregu funksionale dhe institucione që punojnë për qytetarët dhe biznesin. Sipas saj, këto hapa janë të domosdoshëm që Shqipëria të bëhet një partner serioz për investimet dhe industrinë europiane.









