Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar ditën e sotme një takim me strukturat drejtuese të degëve 6, 13 dhe 16 të Tiranës.
Berisha deklaroi para demokratëve se McGonigal e ka vendin në burg dhe se pas tij duhet të shkojë edhe Edi Rama.
“Pasuritë publike shkojnë të gjitha për pasurimin e qeveritarëve të klientelës, apo oligarkëve të tyre. Edi Rama si asnjë kryeministër tjetër në histori, kontrakton vrasës me pagesë për opozitën shqiptare, për të vrarë një forcë politike, për të vrarë pluralizmin, demokracinë.
Historia Rama-McGonigal, është historia më e turpshme, më kriminale, dhe ju garantoj unë ju se nuk besoj se mund të ketë komb tjetër në botë që mund ta toleronte një skandal të tillë dhe ne nuk duhet ta tolerojmë kurrë. Nëse ne rrimë duarkryq para këtij skandali ne i bëjmë vetes dhe vendit, shërbimin më të keq. Por ne nuk do të rrimë duarkryq para këtij skandali.
McGonigal e ka vendin në burg, atje ku është, Edi Rama pas tij. Edi Rama duhet të shkojnë pas tij. Jo vetëm paguan paratë dhe i angazhon kundër opozitës, por vazhdon bashkëpunimin me të në një kohë kur ai priste gjoba në Tiranë, gjobiste biznesmenë, përdorte pushtetin e SHBA-së, agjencisë së tij për të terrorizuar, marrë peng qytetarët shqiptarë. Me dy mafioz, lejtnantë të Ramës, Duçka dhe Neza, ata vendosën dhjetëra e dhjetëra gjoba,” tha Berisha.