Dan Hutra 40-vjeç nga Kukësi është njeriu më i kërkuar sot në Shqipëri. Ai është autor i dy vrasjeve në Kodër Kamëz dhe dyshohet i së tretë sërish në këtë zonë. Tre gra të vdekur. Tre të tjera janë të plagosur. Sërish nga e njëjta dorë. Dan Hutra.
Por çfarë ka ndodhur hap pas hapi?
Paraditen e sotme Dan Hutra ka shkuar në shtëpinë e të dashurës Marjana Gurakuqi. 40-vjeçaren e ka qëlluar me thikë në krah duke e plagosur, e cila tashmë ndodhet në spitalin e Traumës. Më pas Hutra u nis për te shtëpia e ish-vjehrrit. Në banesë ishin gjashtë gra. Hapi zjarr me kallash.
Mevlute Hysën 30 vjeçe, që është motra e ish-bashkëjetueses së tij dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses mbetën të vdekura në vend. Ish-partnerja e tij Elena Hysa 35 vjeçe dhe nëna e saj Kujtime Hysa 60 vjeçe janë të plagosura në spitalin e Traumës.
Më pas në të njëjtën zonë u njoftua se kishte edhe një vajzë tjetër që kishte vdekur në oborr, Etleva Kurti 31-vjeçe. Policia paraprakisht tha se dy ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra tjetrën. Por Vladimir Kurti, vëllai i vajzës nga burgu deklaroi se autori i vrasjes së motrës së tij është Dan Hutra për shkak të përplasjeve që kishin pasur në burgun e Drenovës.
Megjithatë policia ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar që t’i lidhë dy ngjarjet, pasi Kurti që ndodhet në burg ka edhe një konflikt të hapur për vrasjen e shitësi në Kamëz për të cilën është dënuar me burg përjetë.
Skandali i drejtësisë
Por përpos vrasjeve që kreu sot, Dan Hutra rrugën e problemeve me drejtësinë e kishte nisur që në 2003-shin. Në vitin 2003 ai kishte marrë peng kunatën dhe përdhunoi tjetrën. Katër vite më pas në 2007 Dan Hutra është dënuar pasi ka vrarë me armë zjarri ish-gruan Dafina Havalja, të cilën e kishte qëlluar me dy goditje thike në zemër dhe mëlçi.
“Po, une e kam vrare gruan time, Dafinen, me thike. Jemi grindur dhe me pas e kam goditur, por gjithcka e kam bere pa vetedije”, ka deshmuar asokohe Dan Hutra, krim për të cilin u dënua, por në rrethana të dyshimta doli shumë shpejt nga burgu.
Por problemet vazhduan. Pasi nisi bashkëjetesën me partneren e dytë, Elena Hysa, Dan Hutra, autor i masakrës, ishte arrestuar në qershor të vitit 2022 për dhunë në familje, por ishte lënë i lirë më 16 shkurt 2023. Tashmë pak ditë pasi doli nga qelia bëri kasaphanën e dytë. Problemi tjetër i madh është që ky njeri është akoma i lirë dhe i armatosur.