-sidi education-spot_img
24.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Kurtit e Vuçiçit në Ohër do t’u dorëzohet projekt-aneksi për zbatimin e paktit

Kryesoret

Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë pranuar një propozim të Bashkimit Evropian në Bruksel, të titulluar “Marrëveshja drejt normalizimit Kosovë-Serbi”.

Marrëveshja – për të cilën janë bërë përgatitje prej vjeshtës së vitit 2022, mbulon shumë aspekte në marrëdhëniet mes dy vendeve – nuk është nënshkruar ende, mirëpo është publikuar zyrtarisht nga Bashkimi Evropian.

Vlen të përmenden disa pika të saj.

Një zyrtar i lartë i BE-së, i afërt me këto zhvillime, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tekstit i mungon validiteti pa një aneks, të cilin pritet ta përgatisin palët para takimit të tyre të ardhshëm, që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars.

Ky fakt e bën pikën e 11-të të marrëveshjes, e cila thekson se “të dyja palët duhet të respektojnë udhërrëfyesin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje”, pjesën më të rëndësishme.

Plani për këtë udhërrëfyes, i cili përfshin kohën e zbatimit të marrëveshjes, ekziston, por ka ende punë për t’u bërë.

Marrëveshja në thelb është një shtesë e marrëveshjes së arritur më 2013 në Bruksel, në mes të Prishtinës dhe Beogradit, e cila ka paraparë normalizimin e marrëdhënieve, pasi Kosova e ka shpallur pavarësinë më 2008 – veprim që Serbia nuk e ka pranuar kurrë.

Kosova, Serbia dhe BE-ja janë duke tentuar të përditësojnë marrëveshjen e një dekade më parë, për të zhbllokuar rrugën drejt integrimeve evropiane, pa një obligim zyrtar ndaj Beogradit për të njohur pavarësinë e Kosovës – të paktën tani për tani.

Ndonëse Serbia i ka hapur negociatat me BE-në një vit pas marrëveshjes së Brukselit, pra më 2014, deri më tani e ka harmonizuar politikën e saj me të BE-së në vetëm dy fusha, nga 34 sa janë në total.

Përderisa pesë vende të BE-së ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ky shtet mbetet i vetmi në Ballkanin Perëndimor që nuk është kandidat për anëtarësim në BE, dhe aplikimi i tij, i dorëzuar vitin e kaluar, ende nuk është trajtuar me seriozitet nga blloku evropian.

Kjo i bie se Prishtina as nuk mund të nisë punën drejt harmonizimit të politikave.

Një prej pikave më të rëndësishme të marrëveshjes së vitit 2013, është krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kryeministri Kurti e ka ndërtuar një pjesë të mirë të suksesit politik mbi refuzimin për të formuar këtë asociacion, duke argumentuar se një strukturë e tillë do të krijonte probleme të ngjashme me ato të Bosnjë e Hercegovinës, ku entitetet e përqendruara në baza etnike i bëjnë reformat vështirë të realizueshme.

Marrëveshja aktuale nuk e përmend fjalë për fjalë asociacionin, mirëpo e thekson se “Beogradi dhe Prishtina duhet të garantojnë një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në fusha të caktuara, përfshirë ofrimin e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës”.

Pyetja është nëse mund të funksionojë një gjuhë e tillë e paqartë.

Ndoshta Kurti mund ta shesë këtë pikë në publik si diçka tjetër dhe jo si Asociacion të komunave me shumicë serbe, ndonëse brumi është i njëjtë, ndërsa Vuçiq, në anën tjetër, të argumentojë se Beogradi ka ende mundësi që të mbështesë politikisht dhe financiarisht serbët e Kosovës.

Prej publikimit të dokumentit të fundit, Vuçiq ka këmbëngulur se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, dhe as nuk do të pranojë që ajo të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara.

Megjithatë, ky qëndrim është në kundërshtim me pikat e marrëveshjes së re, sidomos me pikën 4, e cila qartëson se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në çfarëdo organizate ndërkombëtare”.

Testi real i përparimit mund t’iu prezantohet palëve këtë pranverë.

Fillimisht, Kosova po synon të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, dhe së dyti, 27 vendet anëtare të BE-së do të kuptohet nëse do të arrijnë konsensus për të dërguar në Këshillin Evropian aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.

Në të dyja rastet, Beogradi besohet se ka punuar në prapaskenë për të penguar përparimin në këto dy drejtime, kanë thënë disa zyrtarë evropianë që kanë njohuri me këto zhvillime, por që nuk janë të autorizuar për të diskutuar këtë temë në media.

Vlen të përmendet, po ashtu, se ndonëse marrëveshja nuk e detyron Beogradin që ta njohë ligjërisht shtetësinë e Kosovës, në marrëveshje përmendet ajo që konsiderohet njohje de facto, duke përfshirë nevojën për “njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat e makinave dhe vulat doganore” si dhe këmbimin e misioneve të përhershme në kryeqytetet respektive./ REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit