Përdërisa qeveria e Britanisë së Madhe ka paraqitur planin e saj të fundit për të ndaluar njerëzit që arrijnë në vend me varka të vogla, BBC shkruan për rritjen e numrit të emigrantëve shqiptarë.
Shqipëria ishte cilësuar nga Rishi Sunak si “një vend evropian i sigurt dhe i begatë”, por megjithatë, shqiptarët janë të parët në listën e emigrantëve që kanë hyrë në Britani gjatë vitit 2022 me varka të vogla.
Sa emigrantë shqiptarë kanë shkuar në Britaninë e Madhe?
BBC raporton se numri i emigrantëve nga Shqipëria që kanë kaluar Kanalin Anlgez, është rritur shumë brenda dy vitesh, nga 50 të regjistruar në vitin 2020, me 12,301 të regjistruar në vitin 2022.
Sipas shifrave nga Eurostat, shumica e emigrantëve janë burra beqarë, të rritur dhe përfaqësojnë rreth 1% të meshkujve në moshë pune në Shqipëri.
“Rritja ka qenë eksponenciale dhe ne mendojmë se kjo është kryesisht për shkak të faktit se bandat kriminale shqiptare kanë fituar një bazë në veri të Francës,”- ka thënë Komandanti i Kërcënimeve të Kanalit Klandestin, Dan O’Mahoney në Komisionin e Përzgjedhur të Çështjeve të Brendshme.
Sa emigrantëve shqiptarë u jepet azil?
Bëeht e ditur se në vitin 2022, 85% e shqiptarëve që kanë shkuar në vend me varka të vogla kanë paraqitur kërkesa për azil. Ndërsa, njoftohet se vetëm 68 prej tyre kanë marrë një vendim fillestar, ndërsa asnjërit nuk i është dhënë statusi i refugjatit apo ndonjë lloj tjetër leje qëndrimi.
Ndërkohë, sipas BBC-së, nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) kanë thënë se disa emigrantë shqiptarë pretendojnë në mënyrë të rreme se janë viktima të trafikimit, duke përdorur letra standarde për të aplikuar për ndihmë. Ndërsa, në vitin 2022, 13% e shqiptarëve – 1,719 persona – që kanë arritur në vend me varka të vogla u ishin referuan Mekanizmit Kombëtar të Referimit për skllavërinë moderne. Një numër më i lartë se për çdo vend tjetër.
Sipas O’Mahoney, emigrantë të tjerë shqiptarë zhduken dhe punojnë ilegalisht në vend, derisa të kapen dhe rikthehen në Shqipëri.
Çfarë i bën emigrantët të largohen nga Shqipëria për në Britani?
Duke shkruar për arsyet e këtij numri të madh emigrantësh nga Shqipëria, sipas një sondazhi të Gallup, të publikuar në 2018, tre dekada pas rënies së diktaturës së Enver Hoxhës dhe hapjes së kufijve të Shqipërisë, rreth 60% e popullsisë së rritur të vendit ka dashur të largohet.
Arsyet për këtë largim janë përmendur të jenë korrupsioni, pagat e ulëta, kushtet e këqija të punës dhe cilësia e ulët e jetës.
Sipas shifrave më të fundit nga Eurostat, të ardhurat mesatare vjetore neto të familjeve në Shqipëri janë vetëm 1,997 euro ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar 21,464 euro. Ndërkohë, papunësia e të rinjve shqiptarë është në 20%.
Kujtojmë se Shqipëria ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe negociatat janë hapur në korrik të viti 2022.