-sidi education-spot_img
22.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Tatimet falin borxhet e bizneseve, ja kush nuk përfitojnë

Kryesoret

Administrata Tatimiore ka bërë me dije se cilët biznese do të përfitojnë për faljen e detyrimeve tatimore ose borxheve të tyre, e njohur ndryshe si “Paqja Fiskale”, si dhe cilat procedura do të ndiqen lidhur me këtë çështje.

Sipas njoftimit zyrtar, brenda 20 ditëve nga hyrja në fuqi e udhëzimit nr. 11, datë 14.05.2026, do të hartohet lista e plotë e tatimpaguesve që përfitojnë nga falja e detyrimeve, si dhe lista e atyre që përjashtohen nga ky proces.

Çfarë detyrimesh përfitojnë nga falja

Për detyrimet tatimore deri më 31 dhjetor 2014 do të fshihen plotësisht detyrimet e papaguara, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat. Përjashtim bëjnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ku nuk falet detyrimi principal.

Për periudhën 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019:

Shuhet 50% e principalit nëse pjesa tjetër paguhet njëherësh nga 10 deri më 30 qershor 2026;

Shuhet 25% e principalit nëse 75% e mbetur paguhet deri më 31 dhjetor 2026.

Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat do të fshihen plotësisht.

Për detyrimet e krijuara nga 1 janari 2020 deri më 31 dhjetor 2024, do të falen gjobat dhe interesat nëse principalit paguhet i plotë brenda afatit 10 qershor – 31 dhjetor 2026.

Përfitime të tjera të parashikuara nga ligji:

Fshihen detyrimet për subjektet e çregjistruara në QKB ose me vendim gjykate deri më 31 dhjetor 2024, pervec kontributeve te sigurimeve shoqerore dhe shendetesore;

Fshihen gjobat për mosdeklarim ose deklarim të vonuar të deklaratave që i përkasin periudhave deri në 31 dhjetor 2024, me kusht që deklaratat e padorëzuara të dorëzohen deri më 30 qershor 2026;

Fshihen gjobat për dorëzim të vonuar të pasqyrave financiare dhe vendimit për destinimin e rezultatit, të llogaritura deri më 31 dhjetor 2024;

Fshihen gjobat dhe interesat e krijuara nga ndryshimet e listëpagesave si pasojë e akteve ligjore/nënligjore me efekt prapaveprues ose vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

Fshihen gjobat administrative për periudhat deri më 31 dhjetor 2024.

Subjektet që nuk përfitojnë:

Nuk përfitojnë nga fshirja/shuarja e detyrimeve subjektet që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore.

Subjektet që janë në proces gjyqësor ose hetimi për vepra penale tatimore dhe/ose doganore gjatë periudhës së zbatimit të ligjit;

Subjektet që kanë vendim gjyqësor të formës së prerë në favor të Administratës Tatimore apo Doganore për detyrimet objekt përfitimi.

Në njoftim theksohet se tatimpaguesit që janë në proces ankimi administrativ ose gjyqësor mund të përfitojnë vetëm nëse heqin dorë nga ankimi ose padia, duke paraqitur kërkesë zyrtare pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse.

Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve të verifikojnë situatën e tyre financiare në sistemin “e-Filing” dhe të respektojnë afatet e pagesave për të përfituar nga lehtësitë e parashikuara në ligj.

 

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit