-sidi education-spot_img
17.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Tërmeti në Turqi, inxhinierët drejtojnë gishtin nga qeveria: Erdogan amnistoi ndërtuesit e paligjshëm

Kryesoret

Ndërsa pjesë të Turqisë juglindore kanë filluar përpjekjet për rimëkëmbje nga tërmeti i muajit të kaluar, shumë pyesin pse kaq shumë ndërtesa relativisht të reja u shembën gjatë tërmetit me magnitudë 7.8.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell disa inxhinierë turq e drejtojnë gishtin nga politikat e qeverisë si fajtori kryesor për këtë.

Një muaj pas tërmetit, mbeturina betoni dhe metali qëndrojnë mbi rrugë dhe trotuare në qytetet më të goditura të Turqisë juglindore. Nën rrënoja ende gjenden trupa të pajetë.

Miliona ton mbeturina po hiqen ngadalë. Por pyetjet mbi nivelin e shkatërrimit nuk po largohen.

Të mbijetuarit tregojnë se kur filluan dridhjet e tokës, katet filluan të shëmben njëra mbi tjetrën, sikur të ishin të bëra prej një materiali të butë. Disa ndërtesa mbijetuan relativisht të padëmtuara, ndërsa të tjera, pranë tyre, u shembën.

Kritikët e presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan thonë se qeveria e tij ofroi disa herë amnisti për ndërtesat e paligjshme, duke i lejuar ndërtuesit të mos respektojnë rregullat bazë të sigurisë. Miliona ndërtesa u çertifikuan në këtë mënyrë.

Pas amnistisë së fundit më 2018, ndërtesat u hipotekuan pa iu nënshtruar asnjë kontrolli, asnjë inspektimi.

Para tërmetit, qeveria po shqyrtonte dhënien e një tjetër amnistie për ndërtuesit, përpara zgjedhjeve presidenciale, që do mbahen në muajin maj. Erdogan u mburr me këto amnisti gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2019, siç bëri gjatë një tubimi zgjedhor në provincën e Hatajit, tani një nga më të goditurat nga tërmeti.

Qeveria turke nuk i është përgjigjur kërkesave të Zërit të Amerikës për koment.

Ministri turk i Drejtësisë ka nënvizuar se edhe partitë opozitare e kanë mbështetur amnistinë për ndërtuesit. Muajin e kaluar, Presidenti Erdogan akuzoi rivalët se po e shfrytëzojnë tërmetin për përfitime politike./VOA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit