Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kujtuar ish-kryeministrin e Serbisë Zoran Gjingjiq me rastin e 20 vjetorit të vrasjes së tij.
I pari i ekzekutivit e ka kionsideruar Gjingjiqin një politikan që sipas tij e qeverisë Serbinë në mënyrë demokratike.
Kurti tha se Gjingjiq ishte ndër liderët politikë të rrallë të Serbisë që nuk bashkëpunoi me Millosheviqin.
“Qeveria e Serbisë do të ketë qenë duke e menduar tashmë shënimin e 100 vjetorit të vrasjes makabre të mbretit Aleksandar Obrenoviq, gruas së tij e dy vëllezërve të tij, kryetarit të qeverisë dhe ministrit të tij të ushtrisë. Dy muaj e gjysmë ishte larg ky përvjetor shekullor, kur u vra kryeministri Zoran Gjingjiq, ndër liderët politikë të rrallë të Serbisë që nuk bashkëpunoi me Millosheviqin ndonëse nuk e zgjidhi ndonjëherë kundërthënien ndërmjet liberalizmit (perëndimor) dhe nacionalizmit (serb)”.
Kryeministri i Kosovës thotë se Gjingjiq ishte demokrat në rrethanat e asaj kohe.
“Gjingjiq ishte demokrat në rrethanat e asaj kohe ndërkaq për nga formimi intelektual e orientimi filozofik, edhe kur ka lëvizur a ndryshuar, ishte tejet i ndikuar nga Shkolla e Frankfurtit së cilës ia kishte borxh mendimin kritik të qëndrimit opozitar. Teksa admironte ‘aksionin komunikativ’ të Jürgen Habermas, filmi më i dashur i tij ishte “Andrei Rublev” i Andrei Tarkovsky-t”.
Kurti përmes një shënimi në Facebook ka kujtuar edhe lidhjet e vrasësve të Gjingjiqit me masakrat në Kosovë.