Prishtina ka triumfuar në Superkupën Kosovë–Diasporë, duke mposhtur FC Kosova të Gjenevës pas penalltive (4:3), pasi koha e rregullt përfundoi 2:2. Ndeshja u zhvillua me organizimin e Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër dhe mbështetjen e FFK-së dhe Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës.
Atmosfera ishte e jashtëzakonshme, me pjesëmarrjen e bashkatdhetarëve dhe program artistik me këngë e valle. Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, u nderua me titullin “Ambasador Nderi”, ndërsa ai dhe kryetari i UKSHFZ-së, Feti Demolli, ndanë trofeun dhe medaljet, duke përmbyllur një ditë feste për futbollin kosovar dhe diasporën.









