Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e së dielës në Rrëshen ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një automjeti. Janë disa pistat, por paraprakisht po hetohet se shkak mund të jetë bërë një sherr për vendin e parkimit. Enrik Bardhi është konfrontuar fizikisht me Sajmir Reçin më pas ka shkuar në banesë ku ka marrë armën e zjarrit.
Është kthyer në vendngjarje dhe ka qëlluar Reçin në momentin që ky i fundit po largohej. Në tentativë për të ikur, Sajmir Reçi ka humbur kontrollin e makinës së tij të blinduar tip BMW duke u përplasur me bordurën e rrugës dhe duke përfunduar në ambientet e një karburanti.
Fatmirësisht, i riu nuk mori plagë ndërsa policia është në kërkim të autorit të ngjarjes si dhe babait të tij Martin Bardhi i cili mësohet se ka qenë në vendngjarje. Policia ka sekuestruar kamera të sigurisë në zonë për të dokumentuar ngjarjen dhe vijon kontrollet.