Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, e cila nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008.

Në një përgjigje për RTV Dukagjinin, nga Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës, kanë thënë se ende e ruajnë pozicionin për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës, të cilën e kanë cilësuar si të një anshme.

“Spanja ruan pozicionin e saj si mosnjohëse e deklaratës së njëanshme të pavarësisë të miratuar nga Prishtina në 2008 dhe mbështet fuqimisht një zgjidhje të pranueshme reciprokisht në kuadrin e Dialogut të Lehtësuar nga BE”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së të Spanjës.

Në përgjigjen e tyre po ashtu thuhet se Spanja e mbështet marrëveshjen e Ohrit, të propozuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tyre, zbatimi i marrëveshjeve krahas atyre të mëparshme është thelbësor.

“Në këtë drejtim, Spanja mirëpret marrëveshjet e fundit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe njeh dhe mbështet përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Borrell dhe Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak. Zbatimi i këtyre marrëveshjeve, krahas marrëveshjeve të mëparshme, tashmë është thelbësor, pasi kjo është një mundësi që nuk duhet humbur”, ka thënë ai.

Përpos Spanjës, shtetësinë e Kosovës, nuk e kanë njohur, Qipro, Greqia, Rumania dhe Sllovakia, të cilat bëjnë pjesë në BE.