Udhëheqësi i opozitës në Mbretërinë e Bashkuar, Keir Starmer do të udhëtojë në Francë dhe Shqipëri në përpjekje për ndaluar emigrimin drejt tokës britanike.
The Times shkruan se ai ka vendosur të vizitojë të dy vendet për të diskutuar mënyrat e trajtimit të çështjes së gomoneve që kalojnë Kanalin Anglez dhe ka të ngjarë të zhvillojë bisedime ballë për ballë me autoritetet franceze dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në javët e ardhshme.
Rama së fundmi udhëtoi për në Mbretërinë e Bashkuar ku takoi kryeministrin Rishi Sunak për të diskutuar mbi migracionin shqiptar, i cili përbën një pjesë të konsiderueshme të njerëzve që kalojnë ilegalisht në Britani.
Qeveria prezantoi në Parlament një projekt-ligj për emigracionin e paligjshëm dhe është përpjekur ta bëjë më të lehtë ndalimin dhe dëbimin e emigrantëve që kalojnë Kanalin.
Starmer e ka cilësuar përgjigjen e qeverisë ndaj migracionit të paligjshëm si një dështim që përkeqësohet me çdo mashtrim të ri nga Sunak, duke i thënë Dhomës së Komunave muajin e kaluar se ai do të ndalonte anijet, do të shkatërronte bandat, do të rregullonte kthimet dhe do të pastronte plotësisht këtë rrëmujë.
Një aleat i tij tha për The Times se udhëtimet në Francë dhe Shqipëri kanë për të treguar se kur Keir thotë se do të arrinte një marrëveshje më të mirë se konservatorët në qeveri, ai ka për ta bërë këtë.
“Ne duhet të tregojmë se jemi po aq të etur sa qeveria për të ndaluar anijet, ndryshimi është kompetenca,” tha ai.
Çështja e dëbimeve në Ruandë është ende në diskutime në Mbretërinë e Bashkuar.