-sidi education-spot_img
20.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Rama dhe Kosova

Kryesoret

Një fakt tani është i vërejtur gjerësisht: si asnjëherë më parë, shefi i qeverisë shqiptare në Tiranë, Edi Rama, shumë më tepër sesa shefi i qeverisë shqiptare në Prishtinë, Albin Kurti, është shfaqur si zërat më protestues ndaj asaj që po ndodh në Hagë dhe këtë, nuk po e bën që nga dita e 3 prillit, kur edhe filloi gjykimi i një pjese të Trupës Drejtuese të UÇK-së, por që shumë më herët.

Normalisht, kjo nuk është vetëm në të drejtën e tij, por edhe detyrë e tij.

Edi Rama është i njohur si njëri ndër miqtë më të afërt, jo vetëm politik të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Si e ka bërë të qartë, nëse Thaçi nuk do të ishte në paraburgimin e tij absurd, mund të ishte në selinë presidenciale në Tiranë.

Nganjëherë, mbrojtja dhe afishimi i tij për kolegun shqiptar të Kosovës, e ka shpënë në injorimin e të tjerëve, por jam i bindur se këtë nuk e ka pasur në merakun e tij.

Tani është një gjendje tjetër, më e thelluar, me më shumë trazime dhe pikëpyetje, të cilat me fillimin e gjyqit të tanishëm, jo vetëm nuk janë qartësuar, por edhe janë mjegulluar më tej. Aq më shumë në të ardhmen, debatet dhe pritshmëritë do të rriten, tensionet do të jenë të shtuara, përplasjet mes të drejtës dhe sajesës do të kapin tone të reja; disa gjëra do të kenë më shumë dritë dhe në fund, si është e besuar dhe si duhet të ndodhë, e vërteta do të jetë ajo që do të vendosë.

Ndërsa shumë njerëz të politikës kanë zgjedhur heshtjen, ose një gjuhë politike të moderuar, shefi i qeverisë shqiptare po afishohet hapur, tepër hapur, pa asnjë ekuivok, në mbrojtje të asaj pjese të Trupës Drejtuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shkuar edhe më tej, inicimin e një Rezolute të re të Parlamentit Evropian, që rrëzon famëkeqen rezolutë të ish-senatorit Dick Marty.

Në kohët e fundit, para zhvillimit të këtyre ngjarjeve, qoftë nga përplasjet, më shumë në distancë, me shefin e qeverisë së Kosovës, Kurti, apo nënvlerësimin e dukshëm të presidentes Osmani, për shkaqe që disa herë janë thelbësore, si “Ballkani i Hapur”, e herë të tjera rendin drejt fëmijërores, si në rastet kur zonja Osmani kërkon t’i mësojë historinë parlamentit shqiptar dhe bënte referenca politike të ngjashme deri në skajim me opozitën, figura e Ramës, si lideri politik i shumicës qeveritare në Shqipëri, pësoi rënie në Kosovë. Disa figura shumë të afërta me qeverinë Kurti, si zëvendëskryeministri Bislimi, apo nga kabineti zonjës Osmani, e njësuan figurën dhe rolin e tij me presidentin serb Vuçiç, gjë që nuk ka kaluar pa lënë gjurmë në mbështetjen e tij në Kosovë.

Tani, ai, jo si gjetje politike, por përkushtim shtetëror dhe real, është i angazhuar në përballjen mes Zyrave të Specializuara, Gjykatës Ndërkombëtare dhe të akuzuarve shqiptarë të Kosovës, më shumë, më fortë, e më qartë se kabineti i zotit Kurti.

Nga analistë të ndryshëm në Kosovë, rrjete sociale të lidhura me pushtetin apo nga segmente të së shkuarës, ngulin këmbë se Rama po përdor gjyqin e zhvilluar, për të pasur rikthimin e tij në mendimin politik në Kosovë.

A mund të jetë gjithçka kaq e thjeshtë?

Pse synohet me çdo kusht relativizmi i qëndrimit të qeverisë shqiptare, shprehur përmes numrit një të saj, Edi Rama?

Edi Rama është sot lideri më i votuar dhe më i besuar në Shqipëri. Ndryshe nga sa mund të ishte menduar, edhe në Kosovë e në viset e tjera shqiptare jashtë Shqipërisë londineze, autoriteti i tij, në disa momente të veçanta, si po ndodh edhe aktualisht, është rritur, megjithëse prej ditës së parë pluraliste në Kosovë ka ekzistuar gjithnjë një lob i fuqishëm proserb, që me gjithë mjetet e mundshme, ka qenë egërsisht kundër linjës socialiste në politikën shqiptare. Si duket, qëndrimet e Edi Ramës, sidomos për ngjarje, fakte dhe konkretësi historike e të tashme, i kanë zënë në një befasi të çuditshme lobistët shqiptarë proserbë në Kosovë dhe në viset e tjera, e duan apo s’duan, tani lideri i së majtës në Shqipëri e ka përmbysur fantazmën politike që qëndronte mbi kryet e politikës në Kosovë, asaj të Berishës.

Ka disa kohë që shteti londinez shqiptar ka në thelbin e paraqitjes së tij dy linja të cilat duket sikur e përjashtojnë njëra-tjetrën, por që në fundin e tyre duket sikur bënë një rrugë e përbashkët.

Linja e parë, më e dukshme dhe më e rrahur nga politika, është ajo e trajtesës europiane, duke ndjekur një rrugë që është ëndërruar prej kohësh, është hedhur në tregun e ideve dhe të shpresave si e vetmja rrugë shpëtimi dhe shumë pritje të së ardhmes lidhen me të. Edi Rama është paraqitur kampioni i kësaj rruge, duke hapur një linjë të re komunikimi me përfaqësuesit e lartë të shtetit serb, duke hedhur në tregun e vizioneve paraqitje tej asaj që është quajtur tipike ballkanike apo ngushtësisht shqiptare, duke tejkaluar normat e vendosura nga një politikë e ngushtë e jo serioze. Ky është mendimi dhe qëndrimi i parë.

Për këtë, sa herë që është lakmuar në perëndim, aq herë është mallkuar nga opozita e dyfishtë: brenda parlamentit të tij dhe në parlamentin tjetër me shumicë shqiptare. Kjo linjë e politikës së drejtuar nga Edi Rama ka gjetur mbështetës në perëndim, sidomos nga Kancelarja Merkel në ditët e mëdha të qeverisjes së saj, tani nga presidenti Makron, deri diku nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe shtetet e tjera, të cilat, të lodhura nga mëritë dhe brengat e pashëruara ballkanike, që shpesh-herë kanë qenë fatalisht të përgjakura, kanë menduar se kanë gjetur njeriun e duhur të detantës politike ballkanike.

Por edhe atëherë, kur qendra e vëmendjes po drejtohej nga qetësia relative e politikës, Edi Rama ka gjetur momentin për të dëshmuar se pak gjë ndryshon ai nga linja e vjetër, kur është fjala për qëndrime, të cilat të çojnë drejt nacionalizmit, sipas tij në drejt një nacionalizmi modern dhe shumëplanësh.

Kështu ndodhi vite më parë në Beograd, kur befas, haptas dhe në praninë e liderëve të shtetit serb, ai kërkoi pranimin e pavarësisë së Kosovës, ç’ka e bëri atë aq popullor dhe të pakundërshtueshëm nga lobi serb në Prishtinë. Kështu ndodh befasisht edhe tani, kur menjëherë pas përplasjes së gotave me verë më presidentin serb, kur mendohet se gjithçka po kthehet drejt një qëndrimi “modern”, ai bën deklarata dhe nxit nisma me kahje të dukshme nacionaliste.

Kjo është një dukuri e njohur e tij.

Kur gjithçka mendohej se ai do të jetë njeriu i hapjes së ideve, si ndodhte në ndërtimin e marrëdhënieve më shtetin italian, vinte përplasja me shtetin grek, të cilat çonin drejt akullzimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, por që dashje pa dashje, gjenin miratimin e duhur në shumicën e njerëzve që ishin lodhur me tundjet e vitheve të politikës greke, ndërsa tundte edhe kërbaçin. Dhe, kur pritej ftohja edhe mëtejshme, Rama shfaqej si politikani bartës i ideve moderne në Ballkan. Dhe përsëri befas, njeriu i “Ballkanit të Hapur” shfaqej përkrah mikut të tij Thaçit me idenë e bashkimit kombëtar, ç’ka nxiste edhe deklarata të tjera nga radhët e forcës politike që drejton.

Nuk është e papritur deklarata e ish-shefit të qeverisë, në të vërtetë politikanit me dy nënshtetësi, shqiptare dhe të Kosovës, Pandeli Majko, për hapjen e plotë të kufijve, që u prit në Prishtinë me duartrokitje të zgjatura, deri frenetike, megjithëse ishte një mjedis i njerëzve që duartrokasin rrallë-herë.

Të gjitha këto janë nën sfondin e një tabloje që askush nuk do të kishte dashur të ishte në Shqipëri, por në përmasa thuajse të njëjta edhe në Kosovë. Qeveria “Rama 3”, si është bërë zakon të thirret, ndodhet para shumë problemeve të hapura më parë, por edhe të çështjeve të tjera që mund të hapen, njëra pas tjetrës dhe që kanë të bëjnë jo vetëm me aferat që presin të sqarohen, por më shumë me mundësinë e realizimit të objektivave që janë vënë; Vettingun e shumëpritur, përballimin e situatave të krijuara nga lufta në Ukrainë, pandemia që la pas jo vetëm jetë të humbura, etj.

Tani është një situatë tjetër, ndoshta më e vështira e viteve të fundit në dinjitetin politik e kombëtar të shtetit shqiptar të Kosovës, ku në rëndesë nuk është vetëm e djeshmja, por më shumë e ardhmja. Gjyqi që po zhvillohet dhe që si duket askush nuk e di se sa do të zgjasë, është përballja mes synimit për të hedhur poshtë një të djeshme që kishte në vete sakrifica të jashtëzakonshme dhe të nesërmes, që do të ngrihet mbi këto ngjarje jetike, si ishte lufta për çlirimin e Kosovës.

Edi Rama është rreshtuar me ata politikanë dhe shtetarë që synojnë me të drejtë të mbështesin të kaluarën e afërt, luftën që ka ndodhur dhe arritjet që kanë të bëjnë me pavarësinë e Kosovës dhe njohjet e afërsitë ndërkombëtare.

Kjo nuk ka të bëjë thjeshtë me afërsinë e tij me ish-presidentin e Kosovës. Do të ishte naive të mendohej kështu. Nëse, përmes këtij qëndrimi do të kishte ringritje të ndjenjës nacionaliste, kjo vetëm se do të ishte e dobishme.

Në të vërtetë, si e kam shkruar edhe më herët, ajo që mungon tek shqiptarët nuk është asgjë tjetër, veçse mungesa e nacionalizmit, ndjenjës së kombit.

Nëse Edi Rama e zgjon më tej këtë ndjenjë, kjo nuk na bën më pak europianë. Përkundrazi.

Por nëse kjo kartë përdoret si fanti spathi për të hequr vëmendjen nga ajo që e rëndon një ditë politike, askush të mos mendojë se pas saj nuk vjen një ditë tjetër./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit