Kostot e larta prodhuese nga rritja e taksave dhe çmimet e lëndëve të para po favorizojnë shitjen e mallrave të importit. Prodhimet shqiptare kanë humbur konkurrueshmërinë dhe po zëvendësohen në treg me mallrat e importit.
Më të prekurit janë prodhuesit e bulmetit, birrës dhe pijeve alkoolike. Shoqatat e biznesit bëjnë thirrje të ndërhyhet nga shteti, në të kundërt rrezikohet dominimi i plotë i produkteve të huaja në supermarkete.
Pesha e prodhimit vendas në treg prej muajsh është ulur ndjeshëm, ku disa produkte vendase po zëvendësohen me shpejtësi nga importet, për shkak të çmimit më të lartë të shitjes.
Efektet e kostove të shtuara e kanë rënduar situatën e vështirë ku ndodhen prej muajsh përpunuesit e qumështit dhe prodhuesit e birrës. Fuqia blerëse ka rënë dhe presioni i produkteve të importit rritet përditë.
Shoqatat përsërisin shqetësimin se këta sektorë do të shkojnë drejt një rënie pa kthim dhe zhdukje të tyre. Sipas tyre, dy janë arsyet e humbjes së konkurrueshmërisë së prodhimit vendas, kostot e larta nga çmimi i energjisë, lëndëve të para, rritja e taksave dhe mungesa e subvencioneve.
Sektori i qumështit ka rritje të kostove që nga 1 janari 2022 kur nisi zbatimin heqja e skemës së TVSH-së së kreditueshme, akciza e gazit që ka filluar të aplikohet nga 1 korrik 2022 dhe subvencionet e ulëta për blegtorët krahasuar me rajonin që po jepen nëpërmjet skemës kombëtare.
Ndërsa për prodhuesit e birrës, dyfishimi i akcizës nga 1 janari 2023 jo vetëm ka zëvendësuar prodhimin shqiptar me importet, por ka shtuar rrezikun e falimentimit të industrisë./Monitor
Artikullin e plotë e gjeni këtu