Deputetja demokrate Albana Vokshi ka depozituar një kërkesë zyrtare në Kuvend, ku i kërkon kryeparlamentarit Niko Peleshi që Kryeministri Edi Rama të raportojë mbi konkluzionet e arritura gjatë konferencës ndërqeveritare Shqipëri-BE, e zhvilluar më 26 maj në Bruksel, duke i dhënë rëndësi veçanërisht kapitullit “Themeloret”.
Kërkesa e Albana Vokshit:
I nderuar z. Kryetar i Kuvendit, Më 26 maj 2026, u zhvillua konferenca ndërqeveritare Shqipëri-BE, me fokus grupkapitullin më të rëndësishëm të negociatave, Themeloret, gjatë të cilit u bë vlerësimi i zbatimit të kushteve të ndërmjetme si dhe u vendosën kushtet mbyllëse.
Në bazë të Ligjit nr.15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit evropian të Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar me ligjin nr. 19/2023, neni 18/3 “Këshilli i Ministrave dhe ministri përgjegjës për negociatat informojnë në seancë plenare konkluzionet mbi negocimin e një kapitulli ose grup kapitujsh pas zhvillimit të konferencës ndërqeveritare me Bashkimin Europian.”
Lidhur me sa më lart, kërkoj përfshirjen në kalendarin e punimeve, raportimin mbi konkluzionet e konferencës së 8 ndërqeveritare Shqipëri-BE dhe kushtet që duhet të përmbushë Shqipëria për grupkapitullin Themeloret.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.









