Ministria e Mbrojtjes hapi sot një tender 407 milionë lekë të reja pa TVSH ose 3.5 milionë Euro për ndërtimin e një hangari për helikopterë, në Bazën Ajrore Farkë.
Afati për dorëzimin e ofertave mbyllet në fund të muajit dhe në maj pritet që të shpallet fituesi për të ndërtuar hangarin.
Ministria e Mbrojtjes synon që të ndërtojë një hangar të ri për strehimin e helikopterëve UH60 “Black Hawk” që mbërrijnë këtë shtator nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto helikopterë do të strehohen në bazën ajrore të Farkës.
Shtimi në forcën ajrore të Shqipërisë edhe me dy Black Hawk, helikopterët kryesorë të përdorur në ushtrinë amerikane u bë i ditur pak kohë më parë nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.
“Këtë vit shpresojmë që do të fillojmë ndërtimin e flotës ajrore te helikopterëve “Black Hawk”. Dy të parët tashmë të kontraktuar, të paguar dhe pritet vetëm lëvrimi, do të vijnë këtë vit, në vjeshtën e këtij viti. Ndërkohë që kemi nisur kërkesat edhe për 4 të tjerë” tha Peleshi në Janar.