Dy ditë pas arrestimit të babë e bir dhe mikut të tyre për kërcënimin e një biznesmeni për shkak të një tenderi janë zbardhur detaje të reja nga dosja.
Konkretisht biznesmeni Shaqir Alcani 62 vjeç, pronar i firmës Alcani sh.p.k. djali Algert Alcani 27 vjeç dhe Edmir Boci 37 vjeç, bashkë me një 38-vjeçar që është në kërkim kërcënuan biznesmenin Eral Myftaraj nga Cërriku që të hiqte dorë nga tenderi 1 milion Euro i druve që fitoi në bashkinë Tiranë.
Por si u kërcënua?
Eral Myftarajn në denoncimin që ka bërë në polici ka rrëfyer se ka pasur dy takime nga njerëzit e rivalit, Alcani që i kanë kërkuar që të tërhiqet, por nuk ka pranuar. Në këtë moment, në telefon i ka ardhur një mesazh me një kërcënim të fortë, se do i vrisnin djalin.
“M’u prezantua me pseudonimin “Çupja”, dhe më pas mora vesh që quhej Louis Konomi nga Burreli. Më tha tekstualisht “Me këtë që bëre, që nuk u tërhoqe nga tenderi, unë do të të vras djalin”.
Eral Myftarajn tha se pas kësaj telefoni djalin e biznesmenit. “Pas këtij episodi kam komunikuar me Algertin dhe i thashë që do mbante përgjegjësi për këto kërcënime dhe njerëzit që më kishte futur dhe Algerti më tha që sa të ishte ai gjallë nuk lejonte që unë të tallesha me babanë e tij.
Këtë bisedë e bëmë në Whatsapp dhe unë i kam bërë screenshot bisedave dhe ua vë në dispozicion” tregoi biznesmeni përpara policisë së Tiranës.