Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA-ve për Çështjet Evropiane, Gabriel Escobar deklaroi se marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i zbatimit i arritur në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një marrëveshje historike që i paraprin normalizimit të marrëdhënieve mes dy palëve.
Escobar u shpreh se Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në stabilitetin rajonal, ndaj sipas tij kjo është edhe një ndër arsyet e vizitës së tij në Tiranë.
“Vizita ime këtu nuk është absolutisht e lidhur me zgjedhjet lokale. Është pjesë e konsultimeve të rregullta që kemi me aleatët e ngushtë. Dhe Shqipëria është një aleate e ngushtë.
Më duhet të them se për sa i përket çështjes Kosovë-Serbi, ajo që kemi në këtë Marrëveshje të re të Normalizimit është një marrëveshje historike për marrëdhënie miqësore, konstruktive mes dy partnerëve që nuk kanë pasur shumë besim.
Ajo marrëveshje, e cila u bë e mundur nga Bashkimi Evropian, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, u mbështet pothuajse në çdo aspekt nga vendet e rajonit.
Negociatat u zhvilluan në Maqedoninë e Veriut dhe nuk do të kishte ndodhur pa mbështetjen e tyre. Por ajo u mbështet edhe nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kroacisë dhe të tjerë në rajon. Dhe ne shohim një rol shumë të rëndësishëm për Shqipërinë në stabilitetin rajonal. Dhe kjo është e vërtetuar,” deklaroi Escobar.
Escobar ka mbështetur edhe nismën e Ballkanit të Hapur, një iniciativë që është kundërshtuar deri më tani nga Kosova dhe Mali i Zi.
Gjithashtu, Escobar ka deklaruar se marrëdhënia tregtare tregtia mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë po lulëzon dhe po rritet në mënyrë domethënëse çdo vit.