Zv/Ndihmës Sekretari Amerikan, Gabriel Escobar i ka shuar çdo shpresë Sali Berishës, duke ia bërë të qartë se edhe nëse fiton zgjedhjet, “Non Grata” nuk do i hiqet.
Duke e cilësuar si “e shkuara e vendit”, Escobar tha se SHBA është shumë e qartë në qëndrimin e saj ndaj personave që janë sanksionuar për “korrupsion” dhe “minim të demokracisë”.
Historia ka treguar se “Non Grata” nuk i është hequr askujt dhe këtu nuk bën përjashtim as Sali Berisha.
“Para së gjithash, mendoj se pozicioni ynë për këtë individ të veçantë është shumë i qartë. Por unë do të thosha se nuk njoh asnjë person që përmes zgjedhjeve të ketë arritur të ndryshojë përcaktimin e pozicionit të tyre prej Departamentit të Shtetit sipas legjislacionit tonë. Po, thënë kjo, unë mendoj se Shqipëria ka një të ardhme vërtet të jashtëzakonshme dhe duhet të fokusohet tek e ardhmja. Dhe ka shumë njerëz që do të donin ta tërhiqnin atë në të shkuarën dhe unë nuk mendoj se ky është një vend ku Shqipëria dëshiron të shkojë. Pra ajo është e shkuara? Nëse më pyet mua, patjetër, e shkuara”, tha Esobar në një intervistë në Top Story.
Sulmet e Berishës ndaj diplomates amerikane Yuri Kim, Escobar i ka cilësuar si të pajustifikuara dhe aspak diplomatike.
Ai është kujdesur të theksojë se qëndrimet e ambasadoreve në tërësi, e të Yuri Kim specifikisht nuk janë qëndrime personale, po është pikërisht ajo që Sekretari dëshiron të bëjë.
Qëllimi i vizitës së tij 3 ditore në Shqipëri, ku ka pasur takime me kryeministrin Edi Rama, presidentin Bajram Begaj, kryetarin e komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj si edhe kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka qenë për zgjedhjet elektorale, por jo vetëm.