Tërmeti më vdekjeprurës në historinë moderne të Turqisë ka ringjallur frikën në pjesën tjetër të vendit se Stambollin e pret një katastrofë edhe më e madhe. Kjo ka bërë që qindra mijëra njerëz të kërkojnë shtëpi më të sigurta.
Rreth 5 milionë njerëz nga gjithsej 16 milionë banorët e qytetit më të madh të Turqisë, Stambollit, jetojnë në shtëpi të rrezikuara, tregojnë të dhënat zyrtare. Kjo pasi që ato shtëpi ndodhen në një zonë të rrezikuar nga tërmetet, pranë Detit Marmara në veriperëndim të Turqisë.
Që kur tërmeti e shkatërroi pjesën juglindore të Turqisë më 6 shkurt të këtij viti dhe la të vrarë më shumë se 50.000 njerëz, ankthi ka kapluar banorët e Stambollit dhe ua ka ringjallur kujtimet e tërmetit të vitit 1999 që vrau 17.000 persona në këtë rajon.
Në shkurt, dhjetëra mijëra ndërtesa u shembën shkaku i tërmetit. Kjo bëri që të ngrihen akuza për standardet e ulëta të ndërtimit në të gjithë Turqinë, të cilat u tha se kishin kontribuar në dëmet e pësuara. Këto akuza nxitën edhe shqetësime për gjendjen e shumë ndërtesave të vjetruara në Stamboll.