Bashkimi Evropian ka njoftuar se të martën është themeluar Komiteti i përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve.
Në njoftimin e BE-së thuhet se kanë krijuar sot një Komitet të Përbashkët Monitorues për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes në rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e Zbatimit të saj.
Sipas BE-së, themelimi bëhet 30 ditë pas takimit të nivelit të lartë të Dialogut në Ohër të Maqedonisë së Veriut, siç është përcaktuar në Aneksin e Zbatimit.
Sipas BE-së, Komiteti do të takohet rregullisht në Bruksel.
“Termat e Referencës pritet të finalizohen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të zhvillohet pas takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë i planifikuar të mbahet në Bruksel të martën më 2 maj”, thotë BE-ja.
Duke folur për marrëveshjen me Serbinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka thënë të martën gazetarëve se Marrëveshja nuk paraqet tërësi të elementeve, por paraqet një pako në të cilën nuk mund të shkëputësh asnjë pjesë.