Policia e Vlorës ka arrestuar 2 persona dhe ka shpallur një tjetër në kërkim për vjedhjen e një banesë tek e cila morën bizhuteri me vlerë 150 mijë euro.
Falë operacionit “Storm 4” policia ka arritur të vërë në pranga 44-vjeçari Sotiraq Golemaj dhe 38-vjeçari Ylli Gerra.
Ndërkohë në Kërkim u shpall Luan Hoxha për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
Ata janë autorë të dyshuar të vjedhjes së disa sendeve (bizhuteri floriri) me vlerë rreth 150 000 euro, në një banesë në Vlorë.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas janë autorë edhe të vjedhjeve të tjera të sendeve me vlerë, në banesa, që më pas janë shitur prej tyre.
Bizhuteritë e vjedhura, 2 automjetet që dyshohet se janë përdorur për të kryer vjedhjen dhe 5 celularë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.