“Gjyqi ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve është i rëndësishëm për të paktën dy arsye: sepse është një lloj trashëgimie e proceseve të dështuara të gjykatës për ish-Jugosllavinë para mbylljes së saj; së dyti, akuzat u referohen krimeve të kryera ndaj personave që konsiderohen si kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pavarësisht nga përkatësia e tyre kombëtare”, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës James Gow, profesor në King’s College të Londrës.
Gjyqi ndaj ish presidentit të Kosovës, si dhe Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, filloi me 3 prill. Ish-udhëheqësit e UÇK-së akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte para një gjykate ndërkombëtare me seli në Hagë.
Në aktakuzë thuhet se të paktën 440 persona, shqiptarë, serbë, romë, boshnjakë dhe malazezë, të cilët nuk morën pjesë në konflikt, u ndaluan në mënyrë të paligjshme. Të paktën 102 nga ta, sipas akuzës, nuk u mbijetuan krimeve të kryera ndaj tyre.
Pas përfundimit të konfliktit në Kosovë, Thaçi, Veseli dhe Krasniqi lanë gjurmë të rëndësishme politike. Thaçi ka mbajtur postet më të larta qeveritare në Kosovë në disa raste, ndërsa Veseli dhe Krasniqi, mbajtën funksionin e kryetarit të parlamentit.
Njoftimi për aktakuzën ndaj zotit Thaçi u publikua në qershor të vitit 2020, pak para takimit në Uashington, ku ai duhej të përfaqësonte Kosovën në dialogun me Serbinë. Raundi i dialogut i nisur nga SHBA-të u shty dhe Avdullah Hoti (kryeministër në atë kohë) e zëvendësoi në negociatat e shtatorit.