Nga Patosi, kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se pas zgjedhjeve lokale, PD do të futet në një proces zgjedhjesh të brendshme për të vendosur emrin e ri të kryetarit. Duket se Alibeaj më shumë se te zgjedhjet lokale fokusi është te kryetari i ri që do të zgjidhet. Hija e Lulzim Bashës vazhdon që të përndjekë PD-në dhe nuk përjashtohet mundësia e një rikthimi.
“Si përfundim, kantieri më i madh për ne demokratët e Shqipërisë është pas 15 majit. Ne kemi të drejtën të jemi Partia Demokratike e Shqipërisë, partia më e bukur e lindjes. Ne jemi demokratët e Shqipërisë dhe jemi këtu për të mbrojtur frymën euroatlantiste të vendit, ne jemi bartës së idealeve të lëvizjes së dhjetorit dhe të gjithë atyre që luftuan gjatë gjithë këtyre viteve që Shqipëria të jetë perëndim dhe jo lindje, që Shqipëria të jetë demokratike dhe jo demokraturë, që të udhëheqë tregu i lirë dhe jo mafia, që njerëzit të gëzojnë frytet e këtij sistemi, e kësaj natyre të mrekullueshme.
PD mbas 15 majit do t’i nënshtrohet një procesi kapilar për zgjidhjen e organeve drejtuese të saj, duke iu futur një procesi të gjerë demokratik me rregulla të reja, me parime të reja, për ta lënë pas traditën berishiste, për t’u ndarë nga e kaluara e për të bërë një hap të ri, për ta lënë pas gjuhën e dhunës dhe të urrejtjes dhe për të mundësuar ndërtimin e një aleance me shumë potencial për vitin 2025” tha ai.