Një konflikt i çastit, për motive të dobëta, për pak sa nuk ka përfunduar në tragjedi teksa dy 19-vjeçarë në moment gjaknxehtësie kanë qëlluar me armë zjarri ndaj bashkëmoshatarit të tyre. Ndaj dhe Policia e Skraparit ka shpallur në kërkim dy 19-vjeçarët e identifikuar me inicialet A.G. dhe I.D.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:15 minuta në një lokal në qendër të qytetit. Të rinjtë kanë qenë duke pirë në të njëjtin lokal dhe aty janë konfliktuar fillimisht me fjalë. Dyshohet se konflikti ka filluar për vendin e parkimit të mjeteve.
Pas përplasjes me fjalë, Dosti ka dalë për t’iu shmangur sherrit dhe për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, por dy të rinjtë kanë marrë armën nga mjeti i tyre disa metra më tej dhe kanë qëlluar në drejtim të Dostit.
Plumbat kanë kapur vetëm mjetin dhe jo Dostin, ndërsa pasi qëlluan ata morën makinën dhe u larguan nga vendngjarja, por policia i pikasi dhe u vu në ndjekje të tyre, por ata braktisën mjetin afër zonës se kanioneve dhe u drejtuan me vrap drejt pyllit.
Policia ende vijon “krehjen” e zonës për kapjen e autorëve.