Gënjeshtra e mashtrime – presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, fajësoi vendet perëndimore për zgjedhjet lokale në veri të Kosovës.
Në kritika iu bashkuan edhe kryeministrja Ana Bërnabiç dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.
Ata akuzuan Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se, pavarësisht kundërshtimeve të komunitetit serb, i mbështetën zgjedhjet, sipas tyre, antidemokratike dhe jolegjitime.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale u mbajtën më 23 prill në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, nuk mori pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje serbëve që ta bojkotojnë procesin.
Arsyetimi ishte se nuk janë plotësuar kushtet e saj për kthimin në institucionet e Kosovës, nga të cilat u tërhoq në vjeshtën e vitit 2022: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e njësive speciale të Kosovës nga komunat në veri.
Si rezultat i këtij bojkoti, pjesëmarrja në zgjedhje ishte nën 4%.
Perëndimi tha se zgjedhjet u mbajtën në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe shprehu keqardhje që në to nuk morën pjesë të gjitha partitë dhe komunitetet.
Ndaj mesazheve të dërguara nga Beogradi, komuniteti ndërkombëtar kryesisht heshti.
Nga BE-ja thanë për REL-in se ata “nuk i komentojnë të gjitha vërejtjet e bëra nga zyrtarë të ndryshëm të vendeve të treta”.
“Të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, diskutohen në platformën e duhur, që është dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me ndërmjetësimin e BE-së”, thuhet në deklaratë.
Ambasada e SHBA-së në Beograd nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për t’i komentuar kritikat e zyrtarëve serbë./REL
Artikullin e plotë e gjeni këtu.