Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut të premten ka vendosur për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve dhe lëvizje të lirë. Kryesuesi i Kuvendit, Nedzat Ugljanin u shpreh se po kërkojnë të rikthehet diçka që ka ekzistuar 20 vjet më parë, asgjë më shumë.
“Po, sipas ligjshmërisë dhe propozimit të Aida Ferati-Doli që ka kërkuar në kuadër të kuvendit me hy në rend dite ky vendim, është parashtruar si kërkesë dhe ne kemi vendosë për qarkullimin e lirë të automjeteve në hapësirën nga ura. Kjo nuk varet nga kuvendi, por strukturave për siguri, MPB-së, Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it”, tha ai.
Ugljanin ka thënë se është pritur një vendim i tillë, pasi “edhe bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar rivitalizimin e urës”. 13 asamblistë kanë votuar pro vendimit, një ka abstenuar dhe një kundër.
Lista Serbe ka reaguar në Facebook duke pretenduar se ky vendim shkel marrëveshjet e Brukselit e se “kërcënon paqen në zonë”. Madje kanë dhënë edhe një paralajmërim. Petar Petkovic e cilësoi “provokim” dhe përpjekje të kryeministrit Albin Kurti për “të prishur takimin e Brukselit më 2 maj”.