Ish-kryeministri Sali Berisha përshëndeti sot qëndrimin e NATO-s që doli kundër masterplanit për portin e ri që do të zhvendoset nga Durrësi në Porto Romano me argumentin që nuk i përmbahet kapaciteteve për ankorimin e anijeve. Berisha pasi e lidhi me portin turistik, u shpreh se këtë çështje do ta kthejnë sërish në kauzë pas zgjedhjeve në momentin që do të rihapet parlamenti pas 14 Majit.
“Jam këtu për të falënderuar me mirënjohje Aleancën e Atlantikut të Veriut, e cila hodhi poshtë përpjekjet e Edi Ramës për të mashtruar këtë aleancë dhe për ta ndërthurur atë në aferën megakorruptive të Portit të Durrësit Rama-Alabar. Vizitat në seli të Ramës, Xhaçkës dhe presidentit me një axhendë Porto-Romano dhe mbështetje nga NATO për mbylljen e Portit të Durrësit, shndërrimin e tij de facto pasuri shumë miliardëshe të Edi Ramës dhe klanit të tij mafioz, klani më i rrezikshëm në Europë, dhe miliarderit të Emirateve, Al Alabar, janë një histori e turpshme. Janë një përpjekje monstruoze për të veshur me petkun e aleancës, për të mbuluar vjedhjen e madhë të tmerrshme që po i bëhet pronës publike të shqiptarëve. Shkelmimin e interesave strategjike të Shqipërisë dhe NATO-s.
Në çdo vend, në këtë situatë, kreu i shtetit do kishte mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe do gozhdonte kryetarin e qeverisë për këtë aferë mafioze që kërkon me çdo kusht të bëhet miliarder me pronat publike të shqiptarëve dhe të kërcënojë sigurinë e Shqipërisë dhe të NATO-s për aq sa portet e Shqipërisë kanë rëndësi strategjike për aleancën. Kjo çështje do të jetë një çështje e rëndësishme e debatit sapo të hapet parlamenti i kyçur në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore nga Rama dhe Linda e parlamentit” tha ai.