Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të martën raportin vjetor për gjendjen e lirisë fetare në botë gjatë vitit 2022.
Në parathënien e raportit, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vë në dukje se ndërsa vazhdojnë kufizime domethënëse nga qeveritë në mbarë botën ndaj praktikave fetare, njerëzit vazhdojnë të emigrojnë drejt Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera demokratike në kërkim të lirisë së besimit.
Raporti përmban kapituj të veçantë për gjendjen e lirisë së besimit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
SHQIPËRI
Në pjesën për Shqipërinë, raporti vë në dukje se qeveria shqiptare ka në fuqi marrëveshje me pesë komunitete fetare, nëpërmjet të cilave i njeh këto grupe si komunitetet kryesore të besimit në vend dhe trajton brenda këtij kuadri çështjet e rikthimit të pronave dhe çështje të tjera.
Qeveria shqiptare megjithatë ndihmon financiarisht vetëm katër prej tyre. Raporti përmend se në gusht Dëshmitarët e Jehovait ngritën një padi gjyqësore për shkak se qeveria shqiptare nuk i ishte përgjigjur kërkesës për arritjen e një marrëveshjeje të ngjashme si me pesë komunitetet e tjera të besimit.
Të pesë komunitetet fetare që kanë marrëveshje me qeverinë shqiptare raportuan probleme me procesin e rikthimit të pronave, ndërsa agjencia përkatëse shtetërore përmend kufizimet për shkak të zënies së territorit nga ndërtime të ligjshme dhe të paligjshme, si dhe hapësirat e pakta të disponueshme./VOA
Artikullin e plotë e gjeni këtu.