Akademia e Studimeve Albanologjike kundërshton vendimin e qeverisë për mbylljen e këtij institucioni dhe kalimin në varësi të Akademisë së Shkencave. Pas një mbledhje urgjente, ASA deklaron për mediat se vendimi i qeverisë nuk njihet dhe se misioni i këtij institucioni do të vijojë.
“Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike është plotësisht kundër këtij vendimi të Këshillit të Ministrave; Është një vendim politik që godet shkencën e albanologjisë në Shqipëri; Është hartuar pa konsultime dhe pa transparencë.
Akademia e Studimeve Albanologjike do të vazhdojë misionin e saj për mbrojtjen e lirisë akademike duke përdorur të gjithë instrumentet ligjore të një shteti demokratik.
ASA u shpreh mirënjohjen qindra mijra qytetarëve, institucioneve kërkimore shkencore brenda dhe jashtë vendit, partnerëve tanë, aktivistëve dhe mediave që i dhanë jehonë këtij akti të paprecedent dhe të ndërmarrë në limitin e kohës” thuhet në reagim.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë përshëndeti vendimin e qeverisë, sikur thotë Skënder Gjinushi për rikthimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike pranë Akademisë së Shkencave së Shqipërisë.
“Vendimi u jep të dy institucioneve mundësinë dhe përgjegjësinë për zhvillimin në një nivel të ri të shkencave albanologjike. Statusi i ri që u jepet instituteve shkencore të albanologjisë si pjesë elitare e sistemit të kërkimit shkencor, pas një periudhe veprimtarie jo në përputhje me ligjet në fuqi, do të forcojë dukshëm edhe vetë statusin e punonjësve shkencorë.
Ky vendim shpreh rritjen e interesit e të angazhimit të qeverisjes për të rritur dhe evidencuar financimin dhe investimet për kërkimin shkencor, ashtu siç po vepron me mbështetjen për tri projektet madhore në albanologji e për ngritjen e njësive të reja kërkimore-shkencore me impakt kombëtar” thotë Gjinushi.
Shkrihet Akademia Albanologjike, qeveria: Nuk justifikojnë pagën (Shkeljet)