Ish-kryeministri Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit u bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen për të protestuar kundër qeverisë Rama. Ai u shpreh i bindur se idealistët që kanë ngelur në atdhe do të ngrihen.
“Ka vetëm një rrugë, protesta, protesta, protesta. Unë qëndroj këtu me thirrjen time të fuqishme, në protestë, protestë dhe vetëm protestë. Kam bindjen që qindra mijëra shqiptarë idealistë do të ngrihen që shqiptarët të votojnë të lirë” tha ai.
Akuzoi Edi Ramën për sulm të Albin Kurtit duke dalë krah Presidentit serb për tensionet në veri. “Por jam këtu për të denoncuar sintonizimin e qëndrimeve të Edi Ramës me padronin e tij, Vuçiç. Një situatë dramatike u krijua në veriun e Kosovës.
Analiza është bërë dhe duke mbështetur fuqimisht të drejtën e qeverisë së Kosovës për të vendosur ligjin në të gjithë territorin e saj, gjithashtu bëj thirrje që të ketë parasysh frymën e ligjit dhe të bashkërendoj veprimet me faktorin ndërkombëtar.
Por jam këtu për të dënuar sulmet e turpshme antishqiptare të përditshme të Edi Ramës ndaj kryeministrit të Kosovës. Sulme në sintoni vetëm me një njeri, dhe ky është padroni i tij, Vuçiç. Dje, televizioni i Ramës shpalli se Kosova zgjodhi luftën para paqes. A ka nxitje më të madhe se kjo thirrje e Edi Ramës në emër të Vuçiç në Tiranë?
Edi Rama nuk kurseu për sulme, qoftë edhe për fatkeqësinë shtetërore të ish-kryetarit të LDK, Isa Mustafa, padinë në gjykatë ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, vetëm pse ata nuk pranonin diktatin e padronit të tij, Vuçiç” tha ai.