Një grup senatorësh amerikanë që përfshijnë dy forcat kryesore politike në vend demokratë dhe republikanë – kanë shtruar një kërkesë për Kosovën dhe Serbinë.
Kërkesa e tyre është që të qetësohet situata në Veriu të Kosovës.
Senatorja amerikane Jeanne Shaheen, kryetare e Nënkomitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë, Chris Murphy, Chris Van Hollen, Ben Cardin, Thom Tillis dhe Pete Ricketts, kërkuan nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç që t’i dëgjojnë thirrjet e ndërkombëtarëve për ta shtensionuar situatën në Veriun e Kosovës.
“Si ligjvënës amerikanë, përtej linjave partiake, jemi gjithnjë e më të shqetësuar nga situata e brishtë e sigurisë në veri të Kosovës.
Sot, ne përsërisim se ka mbështetje të gjerë dypartiake në Senatin e SHBA-së për përpjekjet e Bashkimit Evropian, në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, për të ndërmjetësuar një rrugë përpara.
Por, që një rezolutë të jetë e qëndrueshme, si kryeministri Kurti ashtu edhe presidenti Vuçiç duhet t’i dëgjojnë menjëherë thirrjet ndërkombëtare për të deeskaluar situatën, për të rikthyer besimin popullor në institucionet vendore në veri dhe për t’u angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit duke krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Dështimi për të de-përshkallëzuar situatën do të shkaktonte pasoja nga Perëndimi, i cili ka punuar me zell për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në një rrugë përpara, dhe pa nevojë rrezikon të dobësojë marrëdhëniet tona dypalëshe. Kjo nuk është në interesin e askujt. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë në mirëbesim me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për të gjetur një zgjidhje përpara pa vonesë”, thuhet në njoftim.
Senatorët Shaheen, Murphy dhe Ricketts, kanë biseduar gjatë ditës me kryeministrin Kurti, ku më pas pasoi edhe deklarata./Express