Ish-presidenti Ilir Meta është kundër propozimit që Edi Rama bëri për Asociacionin në veri të Kosovës. Kryetari i Partisë së Lirisë, thotë se Kosova vendos vetë dhe Rama nuk mund të sillet si patronazhist mbi Prishtinën.
“Situata e krijuar në mes të Serbisë dhe Kosovës mund të ndihmohet nga Shqipëria vetëm përmes komunikimit të drejtpërdrejtë e konstruktiv me institucionet e Kosovës dhe Kryeministrin Kurti.
Nuk ka nevojë për ndërhyrje të njëanshme dhe jotransparente, të cilat acarojnë apo përkeqësojnë situatën, e cila paraqitet delikate.
Qeveria shqiptare në asnjë rast nuk duhet të flasë apo të propozojë politika që duhen zbatuar brenda në Kosovë, pa u konsultuar paraprakisht me Kryeministrin dhe institucionet legjitime në Kosovë.
Asociacioni i Komunave është një marrëveshje tashmë e pranuar nga qeveria aktuale e Kosovës, dhe ajo garantohet në Marrëveshjen e Brukselit dhe në Aneksin e Marrëveshjes së Ohrit, të realizuara me mbështetjen dhe negocimin e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Zgjidhja se si do të arrihet Asociacioni, gjendet pra tek respektimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.
- Kurti ka treguar vazhdimisht përgjegjësi dhe vullnet të palëkundur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Ndërsa tek Z. Vuçiç nuk e kemi parë në asnjë rast një gjë të tillë, përkundrazi një sërë veprimesh të tij kanë demonstruar të kundërtën.
- Rama, nëse do të donte të luante një rol mund ta bënte këtë, jo duke luajtur rolin e patronazhistit mbi Kosovën, por vetëm duke i kërkuar Beogradit nënshkrimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit dhe zbatimin e tyre, njohjen e Kosovës nga Serbia dhe heqjen dorë nga strategjia e tensionimit të vazhdueshëm të situatës.