Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka reaguar në lidhje me arrestimin e serbit Milun Milenkoviç ku është shprehur se operacioni8 i policisë së Kosovës nuk ka qenë i koordinuar me KFOR-in dhe EULEX-in.
Në përgjigjen e tij në lidhje me propozimin 5 pikësh të kryeministrit, Albin Kurtit për të de-përshkallëzuar situata në Veriun e Kosovës Borrell ka kërkuar nga kreu i qeverisë që ta ketë partner KFOR’in dhe EULEX’in edhe për sferën e sundimit të ligjit.
”Lidhur me vlerësimet e mundshme të përbashkëta të sigurisë, këto mund të diskutohen pasi të ketë ndodhur de-përshkallëzimi. Megjithatë, kjo do të thotë se ju duhet t’i merrnit plotësisht parasysh mendimet e EULEX-it dhe KFOR-it dhe t’i trajtoni si partnerë, që do të thotë edhe koordinimin paraprak me ta.
Me keqardhje konstatojmë se nuk ishte rasti me operacionin e djeshëm në Mitrovicën e Veriut. Prandaj, çdo masë e ardhshme për sundimin e ligjit në veri të Kosovës do të duhej të diskutohej dhe të vlerësohej individualisht së bashku me EULEX-in dhe KFOR-in.
Ngjarjet e së kaluarës kanë treguar se jo çdo masë e ndërmarrë nga Kosova nën ombrellën e sundimit të ligjit mund të mbështet nga partnerët tuaj ndërkombëtarë në kontekstin e mjedisit shumë të brishtë”, thuhet në letën e Borrellit.